Mbledhja e të Hyrave Doganore dhe Fondi Zhvillimor
Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për Mbledhjen e të Hyrave Doganore më 17 janar të vitit 2013. Ata ranë dakord mbi mbledhjen e detyrimeve doganore, të akcizave dhe të TVSH-së. Kjo nënkuptonte që të gjitha mallrat që do të hynin në Kosovë përmes pikave të kalimit në Bërnjak dhe Jarinjë, do të drejtoheshin në terminalin doganor të Mitrovicës Jugore për zhdoganim.
Të gjitha procedurat kryhen nga autoritetet e Kosovës, në përputhje me përgjegjësitë dhe detyrimet e tyre ligjore, në prani të EULEX-it.
Para kësaj marrëveshje, palët ishin pajtuar për marrëveshjen e vulave doganore dhe atë të IBM-it, si dhe kishin vendosur kontrollin kufitar në pikat e kalimit në pjesën veriore, por nuk ishin në gjendje t’i zbatonin ato në praktikë.
Që pas pavarësisë, pjesa veriore e Kosovës ishte bërë një zonë ekonomike joformale. Bizneset serbe që tregtonin atje nuk paguanin TVSH-në dhe detyrime doganore në pikat e kalimit Jarinjë dhe Bërnjak, duke refuzuar që ta njohin autoritetin e Kosovës.
Për ta vendosur sistemin e taksave në pikat e kalimit në veri, palët u pajtuan për mbledhjen e të hyrave doganore. Kosova dhe Serbia gjithashtu vendosën ta themelojnë një Fond Zhvillimor për të promovuar zhvillimin socio-ekonomik në Leposaviq, Mitrovicë veriore, Zubin Potok dhe Zveçan.
Qëllimi pas krijimit të këtij fondi, ishte që të hyrat nga mallrat që vijnë përmes dy pikëkalimeve në veri dhe të cilat janë të destinuara për konsum në komunat veriore, të përdoren për të zhvilluar dhe përmirësuar infrastrukturën e komunave veriore (p.sh. furnizimin me ujë, energjinë elektrike, rrugët, përmirësimet teknike dhe teknologjike në arsim, kujdesin shëndetësor, punishtet dhe bujqësinë, transportin publik) si dhe për t’i nxitur dhe mbështetur investimet për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Mjetet financiare që mblidhen në këtë fond, janë publike dhe trajtohen si të tilla, gjatë menaxhimit dhe shpenzimit të tyre.
Ky fond operohet nga një bord menaxhues, i cili u krijua më datën 13 dhjetor 2014 dhe përbëhet nga tre anëtarë – një përfaqësues i komunitetit serb, rezident në një prej katër komunave veriore, Ministri i Financave të Kosovës dhe Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë (EUSR), ose një përfaqësues i tij. Vendimet merren me konsensus, por në rast të pamundësisë së përsëritur për të arritur konsensusin, EUSR mund të përdorë votë vendimtare për ta mbështetur qëllimin e Fondit.
Marrëveshja më tej thekson se të ardhurat e mbledhura në pikëkalimet në Jarinjë dhe në Bërnjak transferohen në një llogari të Fondit të themeluar në një bankë komerciale në Prishtinë, të përcaktuar nga BE-ja. Paratë e mbledhura janë publike dhe trajtohen si të tilla, gjatë menaxhimit dhe shpenzimit të tyre. Për më tepër, të ardhurat për fondin mund të vijnë nga kontribute të tjera siç janë donatorët ndërkombëtarë, në përputhje me legjislacionin e Kosovës.
Për ta zbatuar këtë marrëveshje, Kuvendi i Republikës së Kosovës, miratoi Ligjin nr. 04/l-201 për plotësim-ndyshimin e Ligjit nr. 04/l-165 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2013, më 25 korrik 2013.
Një hap i rëndësishëm u ndërmor më 5 nëntor 2013, kur palët arritën konkluzionet e BE-së mbi zbatimin dhe u pajtuan për inicimin e procedurave për mbledhjen e të hyrave doganore më 14 dhjetor 2013.
Sipas këtyre konkluzioneve, për mallrat që bien nën një regjim të kontrolluar (që kanë nevojë për licencim), ishte parashikuar që kompanitë duhet të aplikojnë për licenca në përputhje me legjislacionin e Kosovës, brenda 3 muajve nga fillimi i mbledhjes së të hyrave. Gjatë asaj periudhe, kompanitë mund t’i sillnin ato mallra në Kosovë, por do të duhet të paguanin të gjitha detyrimet doganore, akcizat si dhe TVSH-në në përputhje me legjislacionin e Kosovës. Palët, para datës 30 nëntor 2013, i shkëmbyen listat e tyre përkatëse të produkteve medicinale dhe pajisjeve medicinale të licencuara për përdorim njerëzor dhe veterinar.
Zbatimi i konkluzioneve për licencimin e kompanive nga veriu i Kosovës për mallra të kontrolluara, filloi më 1 janar 2015. Paralelisht, u organizuan takime konsultative intenzive ndërmjet institucioneve përkatëse të Kosovës me pronarët e kompanive dhe përfaqësuesit e sektorit të biznesit nga pjesa veriore e Kosovës për procesin e licencimit dhe çështje të tjera që lidhen me procedurat doganore dhe procesin e licencimit.
Në përgjithësi, marrëveshja ka kontribuar në vendosjen e rendit dhe ligjit ose zvogëlimin e ekonomisë informale në këtë zonë, por gjithashtu në sigurimin e një burimi shtesë për investime zhvillimore në pjesën veriore:
- Deri në shtator të vitit 2015, në sistemin e Doganës së Kosovës, 439 kompani nga komunat veriore u regjistruan për eksport dhe import të mallrave dhe rreth 98% e tyre u pajisen me numra fiskalë të Kosovës;
- Agjencitë kosovare, lëshuan 195 licenca/leje dhe autorizime në lidhje me procedurat për eksport/import për kompanitë e pjesës veriore të Kosovës (185 janë nga Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës, 7 nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale dhe 1 nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë); dhe
- Deri në fund të vitit 2018, Fondi grumbulloi 15.5 milionë dhe numri total i projekteve të aprovuara shkoi në 30.
Për momentin fondi ka rreth 5 milionë EUR të gatshme për t’u investuar për zhvillimin infrastrukturor, social dhe ekonomik të të katër komunave në veri të Kosovës.