Njohja e Ndërsjelltë e Certifikatave të ADR-së
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për njohjen e ndërsjelltë të certifikatave të ADR-së, më 19 prill 2016.
Certifikatat e ADR-së, janë certifikata që përdoren për transportin ndërkombëtar të mallrave të rrezikshme. Mallrat e rrezikshme në këtë aspekt janë substancat plasëse, gazrat, materiet ndezëse të lëngëta, materiet ndezëse të ngurta, substanca vetë-reaktive dhe eksplozivët e ngurta të pandjeshme, substancat që mund të vetëndizen, substancat të cilat në kontakt me ujin krijojë gazrat që ndezën, substancat oksiduese, peroksidet organike, substancat toksike, substancat infektive, materiet radioaktive, substancat korroduese dhe substancat dhe mallrat tjera të rrezikshme.
Marrëveshja e ADR-së ose zyrtarisht Marrëveshja Evropiane për Transportin Ndërkombëtar Rrugor të Mallrave të Rrezikshme, e 30 shtatorit 1957, është një traktat i Kombeve të Bashkuara që rregullon transportin e materialeve të rrezikshme. Deri më tani, 52 vende (përfshirë Serbinë) janë pjesë e këtij traktati. Megjithatë, Kosova ende nuk është palë kontraktuese në këtë marrëveshje.
Ekzistojnë dy lloje të certifikatave që i kërkohen një drejtuesi ose automjeti, në mënyrë që të mund të transportojë mallra të rrezikshme, përmes transportit rrugor:
- Certifikata e miratimit të automjetit, që transporton mallra të rrezikshme – që konfirmon se automjeti i plotëson të gjitha kriteret e nevojshme teknike për transportin e këtyre mallrave. Kjo certifikatë duhet të jetë e lëshuar nga një autoritet kompetent i një pale kontraktuese të ADR-së, në të cilën automjeti është regjistruar; dhe
- Certifikata për drejtuesin e automjetit, që transporton mallra të rrezikshme – e cila konfirmon se vozitësi i plotëson të gjitha kushtet e specifikuara për drejtimin e një automjeti që mbartë këso mallrash. Edhe kjo certifikatë duhet të jetë e lëshuar nga një autoritet kompetent i një pale kontraktuese të ADR-së.
Përmes marrëveshjes për njohjen e ndërsjelltë të certifikatave të ADR-së, Kosova dhe Serbia u zotuan për lëvizjen e lirë të mallrave, përfshirë mallrat e rrezikshme, pa pengesa dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane.
Palët e mbajtën takimin e parë për këtë çështje në Vjenë, më 4 prill 2016, por pa ndonjë rezultat. Takimi i dytë, që u mbajt në Bruksel më 19 prill 2016, rezultoi me nënshkrimin e marrëveshjes për njohjen reciproke të certifikatave ADR-së.
Marrëveshja hyri në fuqi më 25 prill 2016 dhe zbatohet nga të dy palët.
Para marrëveshjes, qytetarët e Kosovës nuk u lejuan të transportojnë mallrat e rrezikshme në apo përmes territorit të Serbisë. Serbia nuk i njihte certifikatat ADR të Kosovës, sepse Kosova nuk është palë kontraktuese e Marrëveshjes së ADR-së dhe kjo e pengoi lëvizjen e mallrave në një masë të madhe.
Tani, megjithëse Kosova ende nuk është palë kontraktuese e Marrëveshjes së ADR-së, marrëveshja bilaterale për certifikatat ADR në mes të Kosovës dhe Serbisë, po e mundëson lëvizjen e lirë të mallrave të rrezikshme brenda dhe përmes Serbisë.