Regjistrat Kadastral

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për Regjistrat Kadastral më 2 shtator 2011. Marrëveshja synonte krijimin e një kadastri të besueshëm në Kosovë, si parakusht për mbrojtjen e pretendimeve pronësore legjitime të qytetarëve.

Kjo çështje u bë pjesë e dialogut, për faktin se pas vitit 1999, me kthimin e shpejtë të shqiptarëve të Kosovës dhe nevojën për strehim alternativ të atyre që kishin humbur pronat, si dhe me zhvendosjen e një numri të konsiderueshëm të popullsisë serbe, pati rritje të rasteve të shkeljes së të drejtave pronësore si dhe raste të zaptimit të pronave. Të dhënat/regjistrat kadastral të Kosovës u shkatërruan, humbën ose u zhvendosën në Serbi. Këto regjistra mbulonin periudhën nga viti 1983 deri në vitin 1999 dhe rezultuan në rreth 60,000 pretendime të pazgjidhura pronësore.

Në këto rrethana të krijuara, UNMIK-u, me ndihmën e donatorëve ndërkombëtarë, kishte filluar procesin e rivendosjes së sistemit të informacionit kadastral në Kosovë. Megjithatë, shumë boshllëqe mbetën.

Në përputhje me marrëveshjen, procesi i krijimit të një regjistri kadastral të besueshëm, do të kalonte nëpër hapat e mëposhtëm:

  1. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë do t’i merr kopjet e skanuara të të gjitha të dhënave origjinale kadastrale të para vitit 1999;
  2. Një agjenci teknike do t’i krahasojë të gjitha kopjet e të dhënave origjinale kadastrale të pronës private para vitit 1999, me kadastrin e ri-konstruktuar të Kosovës;
  3. Një grup zbatues trepalësh (një ekspert kadastral nga Kosova, një nga Serbia dhe kryesuesi nga Bashkimi Evropian) do ta monitorojnë punën e kësaj agjencie;
  4. Çështjet diskutabile do të transferohen (nga grupi i zbatimit) në një mekanizëm gjyqësor për të marrë vendim përfundimtar;
  • Shkalla e parë e këtij mekanizmi, do të jetë një komision i përbërë nga ekspertë ndërkombëtarë si dhe ata kadastral e pronësorë (nga Kosova), shumica e të cilëve emërohen nga PSBE (duke i marrë parasysh interesat e të gjitha komuniteteve në fjalë).
  • Gjykata Supreme e Kosovës do të shërbejë si instanca përfundimtare ndërkaq vendimet do të merren nga një panel ku gjyqtarët ndërkombëtarë e përbëjnë shumicën.

Implementimi u prit të fillonte në vitin 2012, por u pengua nga dy çështje:

  • Vonesa e Kosovës për ta miratuar ligjin për themelimin e agjencisë teknike (Agjencia e re Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës – AKKVP);
  • Dhe verdikti i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, e cila e shpalli marrëveshjen jokushtetuese.

Pas disa vitesh, më 9 qershor 2016, Kosova më në fund e miratoi Ligjin për themelimin e Agjencisë Teknike (AKKVP).

Ligji i Kosovës për AKKVP parasheh që:

  • Bordi i Agjencisë Teknike, përbëhet prej pesë (5) anëtarëve, dy anëtarë emërohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës sipas propozimit të Kryeministrit, ndërsa tre (3) anëtarë, emërohen nga Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (PSBE).
  • Sekretaria e ka Drejtorin dhe Zëvendësdrejtorin. Drejtori dhe Zëvendësdrejtori emërohen nga Kuvendi pas propozimit të Kryeministrit, për një mandat pesë (5) vjeçar.
  • Shkalla e parë e mekanizmit gjyqësor ose Komisioni për Verifikim dhe Vendosje për Prona (KVVP) përbëhet nga pesë (5) anëtarë. Dy (2) nga anëtarët e KVVP emërohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës pas propozimit të Kryetarit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, ndërsa tre (3) nga pesë (5) anëtarët e Komisionit, duke përfshirë një (1) përfaqësues të komuniteteve jo shumicë, emërohen nga PSBE-ja.
  • Shkalla e dytë është Gjykata Supreme, e cila vendos për ankesat në një panel prej tre (3) gjyqtarësh; me dy (2) anëtarë të emëruar në përputhje me dispozitat e Kuvendit të Kosovës mbi propozimet e Kryeministrit dhe një (1) anëtar të emëruar me propozim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe miratim të Presidenti i Republikës së Kosovës.

Sa i përket Serbisë, një dekret qeveritar u miratua për të mundësuar zbatimin e marrëveshjes.

Sidoqoftë, këto përpjekje nuk ishin të mjaftueshme. Marrëveshja renditet në mesin e marrëveshjeve të pazbatuara dhe si e tillë, vazhdon të krijoj probleme të përditshme për qytetarët.

Sa i përket arsyjeve se pse marrëveshja nuk është zbatuar, ato mund të përmblidhen kryesisht si vijon:

  • Të dhënat kadastrale që do të ktheheshin, do t’i sfidonin shumë vendime të marra pas vitit 1999, si rezultat i të cilave shumë prona publike u zaptuan ose transferuan;
  • Serbia nuk pranoi krijimin e agjencisë teknike përmes ligjit dhe kishte frikë se vendimet për verifikimin e pronës do të merreshin pa përfshirjen e përfaqësuesve serbë të Kosovës (dhe nuk do të kishin mundësi, të mbronin pretendimet e tyre pronësore dhe ato të Kishës Ortodokse serbe).

Marrëveshjet në PDF