Ura e Mitrovicës

Më 22 korrik 2014, Kosova dhe Serbia arritën Konkluzionet mbi Heqjen e Barrikadës dhe Revitalizimin e Urës së Mitrovicës, në Bruksel. Qëllimi ishte revitalizimi dhe funksionalizimi i Urës, në funksion të lëvizjes së lirë.

Para kësaj marrëveshje, pjesa veriore e Mitrovicës ishte shndërruar në terren të incidenteve dhe tensioneve të shpeshta midis shqiptarëve dhe serbëve. Menjëherë pas ndërhyrjes së NATO-s në 1999, ura kryesore në Mitrovicë u bë simbol i ndarjes midis pjesës veriore dhe pjesës jugore të qytetit, duke shënuar ndarjen “de facto” në mes të shqiptarëve dhe serbëve, përgjatë lumit Ibër.

Në vitin 2007, i Dërguari i atëhershëm Special i OKB-së për procesin e përcaktimit të statusit të Kosovës, Martti Ahtisaari, i’u prezantoi të dy palëve, një projekt – propozim (Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës – CSP) mbi statusin e Kosovës. Ky plan parashikonte krijimin e komunës së Mitrovicës së Veriut (komunë me shumicë serbe), gjë që përfshinte edhe përcaktimin e zonave kadastrale në mes të komunës veriore dhe asaj jugore të Mitrovicës.

Kur Kosova e shpalli pavarësinë në vitin 2008, veriu i qytetit u nda gjithnjë e më shumë nga jugu. Për shqiptarët e Kosovës, ura simbolizonte një mjet lidhës me pjesën veriore, ndërkaq për serbët e Kosovës, ura paraqiste një kufi.

Sipas marrëveshjes së vitit 2014, plani i BE-së për urën, përmbante disa elemente:

– Respektimin e Ligjeve të Kosovës;

– Kryerjen e një vlerësimi teknik të stabilitetit dhe strukturës statike të Urës së Ibrit nga BE-ja; dhe

– Hartimin e projektit për revitalizimin e urës.

Deri në mars të vitit 2015, me qëllim të revitalizimit të urës, u hoq i ashtuquajturi “Parku i Paqes”, i cili përbëhej nga vazo me bredha. “Parku i Paqes”, i vendosur në qershor të vitit 2014, e kishte zëvendësuar barrikadën; e cila ishte në formën e grumbujve të mëdhenj të betonit dhe zhavorrit. Kjo barrikadë, ndonëse në dukje ishte “më e butë”, vazhdoi ta pengonte lëvizjen e lirë në intensitet të njëjtë.

Më 25 gusht 2015, Kosova dhe Serbia, arritën marrëveshjen për hapjen e urës, përkatësisht Liria e Lëvizjes/Konkluzionet për Urën.

Rrjedhimisht, ata u pajtuan:

  • Që kontraktuesi do ti mbyllë të dyja anët e urës me pengesa të palëvizshme dhe rrethojë të punimeve, më 15 tetor 2015;
  • Të hapet ura për qarkullim të përgjithshëm deri në verë / jo më vonë se fundi i qershorit 2016;
  • Të revitalizohet rruga kryesore (Rr. King Peter) për këmbësorë, në përputhje me afatin e njëjtë kohor (në verë/jo më vonë se fundi i qershorit 2016); dhe
  • Të definohen hartat e linjave administrative të zonave kadastrale në Suhodoll dhe Kroi i Vitakut përmes Memorandumit të Mirëkuptimit në mes të ministrive përkatëse dhe dy komunave të Mitrovicës, më 10 tetor 2015.

Sidoqoftë, revitalizimi nuk u përfundua në qershor të vitit 2016, siç ishte parashikuar në marrëveshje.

Në një përpjekje të dytë për të ecur përpara, më 5 gusht 2016, Kosova dhe Serbia ranë dakord mbi një plan të ri zbatimi, duke synuar ti qartësonin interpretimet e ndryshme nga konkluzionet e mëparshme.

Atëherë kur implementimi dukej se do të ndodhte, palët paraqitën idealet e tyre që ‘Ura e Mitrovicës’, të bëhej simbol i normalizimit të marrëdhënieve në mes të serbëve, shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera, dhe të lehtësonte kontakteve në mes të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së veriut dhe jugut.

Sipas planit të ri të zbatimit, Kosova dhe Serbia ranë dakord që të revitalizohet ura dhe rruga King Peter deri më 14 gusht 2016, që ura të hapej për qarkullim të përgjithshëm më 20 janar 2017, si dhe ti përmbahen zotimeve nga konkluzionet e mëparshme mbi përcaktimin e kufijve administrativ midis Mitrovicës së jugut dhe saj të veriut deri në 14 tetor 2016.

Sot, megjithëse punimet në ndërtimin e urës kryesore dhe pjesëve përreth kanë përfunduar, ura nuk është hapur për të gjitha llojet e trafikut, për shkak të mungesës së pajtueshmërisë lidhur me përcaktimin e kufijve administrativ midis dy komunave. Statusi i zonave Suhadoll dhe Kroi i Vitakut mbetet i kontestueshëm.

Kjo papajtueshmëri ekzistuese ndërmjet komunës jugore dhe asaj veriore po pengon zbatimin e marrëveshjes, dhe si pasojë, kjo çështje vazhdon të mbetet e hapur.

 

Marrëveshjet në PDF