Shkëmbimi i Zyrtarëve Ndërlidhës
Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për Shkëmbimin e Zyrtarëve Ndërlidhës, më 31 maj të vitit 2013. Qëllimi ishte vendosja e marrëdhënieve ndërmjet tyre, duke lehtësuar komunikimin dhe duke zgjidhur problemet e përditshme që mund të paraqiten.
Palët u dakorduan që zyrat e tyre ndërlidhëse, t’i kenë brenda hapësirave të delegacioneve të BE-së në të dyja shtetet. Kjo ishte hera e parë që Kosova dhe Serbia shkëmbyen përfaqësues zyrtarë.
Në përputhje me marrëveshjen, Valdet Sadiku u emërua si zyrtar ndërlidhës i Kosovës në Beograd dhe Dejan Paviceviq si zyrtar ndërlidhës i Serbisë në Prishtinë.
Marrëveshja shënon një hap të rëndësishëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe në rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian, duke pasur parasysh që ndërtimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë është ndër standardet kryesore evropiane për vendet aspiruese.
Një vit më vonë, më 14 nëntor 2014, Kosova dhe Serbia i përcaktuan rregullat dhe modalitetet specifike për vizitat e zyrtarëve të Kosovës në Serbi dhe anasjelltas. Ata vendosën që:
- Palët përkatëse do t’i lajmërojnë vizitat e zyrtarëve të tyre tek pala tjetër; dhe që
- Njoftimi është i nevojshëm për kategoritë e mëposhtme të zyrtarëve:
Grupi i Parë – presidenti, kryeministri, zëvendëskryeministrat, kryetari i parlamentit dhe ministrat e punëve të brendshme, punëve të jashtme dhe të mbrojtjes.
Grupi i Dytë – të gjithë ministrat e tjerë, nënkryetarët e parlamentit, drejtorët e zyrave qeveritare dhe agjencitë e lidhura me sigurinë, kryetarët e gjykatave kushtetuese dhe supreme, prokurori i shtetit dhe persona të tjerë, të tillë si udhëheqësit fetarë, që janë nën regjimin e mbrojtjes së afërt.
- Afatet vlejnë pavarësisht nëse është ditë pune apo jo, por njoftimet duhet të dërgohen gjatë orarit të punës (e hënë- e premte, deri në ora 5 pasdite);
- Në raste emergjence ku kërkohet udhëtim i menjëhershëm, të dy zyrtarët ndërlidhës mund të bien dakord për aranzhime ad-hoc;
- Të gjitha ndryshimet e mundshme të agjendave të vizitave, duhet të bëhen të paktën 24 orë para vizitës zyrtare.
Nga dhjetori i vitit 2014, ata mund të organizonin dhe menaxhonin të gjitha vizitat zyrtare nga njëra palë tek tjetra.
Palët gjithashtu u pajtuan t’a shtojnë numrin e stafit të Zyrave Ndërlidhëse. Zyrat aktuale që funksionojnë brenda hapësirave të delegacioneve të BE-së, kanë hapësira të kufizuara, por Serbia nuk pranoi të gjente zyra të reja jashtë këtyre hapësirave. Kjo sipas tyre, në njëfarë mënyre, mund të nënkuptonte një formë të njohjes së përfaqësuesve të Kosovës, prandaj palët kurrë nuk arritën të krijojnë hapësira të reja pune.
Ndonëse Kosova dhe Serbia shkëmbyen zyrtarët e tyre ndërlidhës kohë më parë, një gjë e tillë nuk dha efekte konkrete në lehtësimin e komunikimit të drejtpërdrejtë midis Prishtinës dhe Beogradit. Roli i tyre në fakt, është minimizuar shumë dhe ata ende nuk kanë arritur të zgjerojnë bashkëpunimin midis dy vendeve ose të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen qytetarët e të dyja shteteve. Një aspekt i mirë i pranisë së zyrtarit ndërlidhës të Kosovës në Serbi, mbetet fakti që sigurohet një komunikim më i mirë dhe më i drejtpërdrejtë me ambasadat e huaja dhe shoqërinë civile në Beograd.
Ndër të tjera, palët nuk mundën as të pajtohen për dukjen e vulave zyrtare dhe si rezultat, zyrat ndërlidhëse, ende funksionojnë pa to.
Kosova ka insistuar që vula të ishte e njëjtë me misionet diplomatike të Kosovës në të gjithë botën, me stemën e Republikës së Kosovës dhe tekstin që shkruan: “Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi”. Ndërsa Serbia, kishte kërkuar që vulat të ishin pa simbole dhe me tekstet: “Zyra Ndërlidhëse në Prishtinë” dhe “Zyra Ndërlidhëse në Beograd”.