Premtimet e thyera dhe Dialogu
04 tetor 2021
Nuk do të negocioj me Serbinë para se ata të kërkojnë falje. Nëse do të ketë negociata, do të ketë vetëm për njohje. Nuk do të ketë negociata për çështje të brendshme. Albin Kurti i bëri të gjitha këto premtime në mënyrë ceremoniale dhe i theu të njëjtat më 28 dhe 29 shtator. Ai bëri edhe disa gabime tjera për të cilat nuk mund ta fajësojmë. Nuk kishte me kë t’i ndante pikëpamjet e tij për dialogun sepse shoqëria civile nuk ishin duke bërë punën e tyre: nuk ishin duke analizuar procesin, por po mbështesnin atë.
Në vitin 2018, Ramush Haradinaj e implementoi vendimin për të aplikuar taksën 100% pa e përfshirë qoftë edhe një zyrtar policorë shtesë në pikat e IBM-it. Vendimi nuk arriti të merrte mbështetje të unifikuar ndërkombëtare, megjithatë u implementua për 16 muaj pa kërcënime të dukshme të sigurisë.
Në vitin 2021, Albin Kurti implementoi një pjesë të marrëveshjes për lirinë e lëvizjes; e drejtë që i takonte Kosovës por që kishe zgjedhur të mos e bënte qysh nga nëntori i vitit 2011. Ai pati mbështetje të madhe ndërkombëtare për një gjë të tillë, andaj angazhoi forcat speciale e të armatosura të sigurisë, e prapë nuk arriti ta mbante vendimin për më shumë se dy javë.
Pse? Ku qëndron problemi?
Problemi qëndron në një detaj që shumica në Kosovë duket se e kanë harruar. BE-ja e inicoi dialogun Beograd-Prishtinë për të integruar komunitetin serb dhe për të zgjeruar institucionet e Kosovës në veri të vendit, jo për të negociuar njohje sipas besimit të shumicës. Derisa e para mund të na shpie tek e dyta, e kundërta nuk mund të ndodh pa e finalizuar fillimisht integrimin. Prandaj, vjen edhe mesazhi i Merkel se nuk ka kuptim të diskutohet fundi i procesit (në interpretimin e saj, njohja) para se të zgjidhen çështjet e tjera. Ky mesazh nuk është diçka e re dhe nuk ka ndryshuar sot e kësaj dite, ndonëse po bie në vesh të shurdhër në Kosovë.
Një mesazh tjetër që u dëgjua të enjten ishte se Beogradi dhe Prishtina mund të arrijnë progres në dialog vetëm kur të dy anët të jenë të gatshme të negociojnë. Kjo për të treguar se integrimi i komunitetit serb në Kosovë nuk mund të arrihet pa koordinim dhe mbështetje direkte të procesit nga Serbia. Kosova duhet të heq dorë nga idea se integrimi i komunitetit serb do të ndodh spontanisht dhe pa ndërhyrje të Serbisë. Nuk është e vërtetë dhe një gjë e tillë është dëshmuar prej 1999 deri më 2011. Integrimi do të ndodh vetëm kur Serbia të shtyjë komunitetin ta pranojë një gjë të tillë, dhe pjesa më e madhe e përgjegjësisë këtu bie mbi qeverinë e Kosovës. Për sa kohë që ajo i injoron shqetësimet e komunitetit serb në Kosovë, nën pretendimin se i ka të drejtat më të avancuara, kjo do të shpie në ndarje dhe përderisa nuk ka serb në Prishtinë, një gjë e tillë nuk do të ndryshoj.
Kjo më sjell prapë tek Ramushi. Ai mundi ta implmentonte vendimin për taksat se kjo nuk e cenonte integrimin e serbëve të Kosovës. Për ndryshim, Kurtit i’u desh të tërhiqet sepse ai e bazoi vendimin në marrëveshje, por pa u koordinuar me Serbinë. Supozoj dhe disi e kuptoj se kjo mund të acaroj shumë prej atyre që e lexojnë këtë, por është me rëndësi të kuptohet dështimi i vendimit të Kurtit në tërësi.
Në vitin 2011, aksioni i Thaçit me policinë Speciale në veri nuk arriti të ndërkombëtarizohet dhe të shpie tek zgjidhja e statusit të Kosovës. Sidoqoftë, në atë kohë, ai nuk kishte asgjë për të humbur sepse, në atë zonë, thuajse nuk kishte institucione të Kosovës. Në anën tjetër, aksioni i Kurtit me policinë Speciale la mënjanë 10 vite integrim, në të cilat komuniteti ndërkombëtar ka investuar mund dhe diplomaci. Gjithashtu e përçoi mesazhin tek komuniteti serb në Kosovë, se Kurti planifikon të vendos integrim të detyruar, jo integrim të lehtë, një lëvizje për të cilën ai as nuk ka mbështetje e as bazë për ta bërë.
Kurti gjithashtu e ka mobilizuar komunitetin ndërkombëtar për ta mbështetur vendimin e tij, për ta humbur më pas me mos ndarjen e detajeve lidhur me planin e tij të implementimit, sidomos me dërgimin e forcave speciale dhe konfiskimin e tabelave KM. Tani atij i duhet të paguaj atë mbështetje duke i implementuar marrëveshjet e tjera të arritura, Asociacionin e komunave me shumicë Serbe, duke e menaxhuar humbjen e besimit që do të pasojë kur të kërkoj mbështetje prapë. Sikurse validiteti i tabelave KS, edhe formimi i asociacionit kishte një afat kohor– katër muaj nga marrëveshja e vitit 2015.
Për mua, mësimi më kryesor nga dy javët e fundit është që komuniteti ndërkombëtar e kuptoi dhe e kupton më mirë, se sa vet qeveria, kornizën e problemeve që Kosova ka me integrimin e veriut. Kjo ndodhi sepse shoqëria civile që fokusohen në dialog, dhe mediat, nuk shohin përtej argumenteve të qeverive në dialog. Ato shërbejnë si megafon i qeverisë, në vend se të jenë një partner i pavarur.
Nëse do të kishte qenë ndryshe, qeveria e Kosovës do të mund ta dinte që vendimi do të përjashtonte me mijëra vetura duke i lënë anash shumë njerëz në veri, që i konsideron qytetarë të vet. Mbase do të kuptonte po ashtu se është gabim që këta njerëz të mbesin të painformuar lidhur me atë se çka të presin pas konfiskimit të tabelave të tyre të automjeteve, e aq më pak që të kumtohet një informatë e tillë me armë dhe automjete të blinduara.
Ky artikull fillimisht është shkruar në Gjuhën Angleze.
Ky shkrim financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë. Opinionet e shprehura pasqyrojnë pikëpamjet e autorit/es dhe nuk reflektojnë në pikëpamjet e Grupit për Ballkan dhe të donatorit.