Për një dialog më deliberativ
Maj 2021
Procesi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, në këto dhjetë vite, është karakterizuar nga një numër i madh takimesh të liderëve, shpesh me shumë bujë, dhe me mbivlerësime të rezultateve të vogla dhe të pandjeshme për qytetarët. Shumë prej dhjetëra marrëveshjeve të arritura nuk janë zbatuar për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe/apo mosbesimit të publikut. Praktika jotransparente e diskutimeve e ka dëmtuar rëndë besimin e publikut në këtë proces dhe ka rritur bindjen se çështjet më të rëndësishme të së kaluarës nuk janë adresuar fare. Qytetarët kanë qenë kryesisht vëzhgues të painformuar, me apo pa fajin e tyre, duke i bërë marrëveshjet e arritura vështirë të pranueshme dhe të kontestueshme për shkak të kompromiseve që i kanë gjykuar si të papranueshme apo madje të dëmshme.
Përveç mungesës së transparencës, procesin e dialogut e ka dëmtuar përceptimi se ky proces ka qenë i detyruar, i paplanifikuar mirë dhe jokonsistent.
Sot, pas një dekade dialogimi, pyetja kryesore është se si do të duhej të vazhdonte një proces dialogu i lënduar për të fituar besimin dhe provueshmërinë e qytetarëve. Përgjigjja ideale do të ishte që të aplikohej forma e deliberimit në angl. deliberation,që nënkupton një dialog ku rrahen e shoshiten mendimet, me përballje argumentesh dhe vendimmarrje në favor të fuqisë së argumenteve që parashtrojnë e argumentojnë pjesëmarrësit. Në një proces negociimi në mes të palëve me pikëpamje të kundërta ose në konflikt, kjo do të nënkuptonte një proces të gjatë diskutimi për të gjitha çështjet e hapura dhe gatishmëri për kompromise për të mirën e përgjithshme, në fund të procesit. Për të realizuar një dialog të tillë, suksesshëm, kërkohen ‘kushtet ideale të dialogimit’ të prezantuara nga Juergen Habermas, ‘pragmatizmi’ amerikan i John Dewey (Gjon Djui), barabarësia e palëve e trajtuar nga Joshua Cohen dhe aplikim të modelit të deliberimit nga James Fishkin (Xhejms Fishkin).
Në bazë të modelit të Fishkin-it, një nga parakushtet kryesore që kërkohet në një proces dialogimi është pjesëmarrja e vullnetshme e palëve në proces. Kosova dhe Serbia përkundër faktit që kanë dialoguar në periudha të ndryshme, kanë bojkotuar e prolonguar dialogun në forma të ndryshme, në mungesë të vullnetit politik dhe si pasojë e qasjeve kontradiktore të partive politike për të njëjtin. Në Kosovë, dialogu ka shkaktuar edhe kriza politike dhe zgjedhje të jashtëzakonshme politike. Narrativa me ngjyra nacionaliste e populiste për procesin e dialogut, në kohë fushatash zgjedhore, ka ngjallur sentimente mosbesimi te popullata lidhur me këtë proces. Për t’u ndërtuar besimi i qytetarëve për këtë proces dhe që shtetet të kenë një vullnet burimor për të dialoguar, duhet që fillimisht të ketë një dialog dhe konsensus të brendshëm për rëndësinë e tij. Në Qeverinë aktuale të drejtuar nga Vetëvendosje, parti që e ka kundërshtuar vazhdimisht dialogun dhe nuk e ka paraparë si prioritet, synimi për të krijuar një konsensus të brendshëm mbetet sfidues.
Për një proces cilësor deliberativ, palët obligohen të përgatiten sa më mirë për temat e diskutimit. Diskutimet deliberative ndërtohen mbi bazën e prezantimit të argumenteve dhe arsyetimeve. Në të kaluarën, takimet e Brukselit janë perceptuar si takime të papërgatitura përmbajtësisht, mbi të gjitha si pasojë e mungesës së transparencës dhe injorimit të qëllimshëm të kërkesës për përmbajtjet e takimeve dhe rrjedhën e zhvillimeve në këtë proces. Për të arritur kompromise të favorshme për qytetarët e Kosovës, delegacionet e Kosovës duhet të përgatiten përmbajtësisht duke pasur qasje koherente me propozime të argumentuara mirë për elemente të marrëveshjes së përgjithshme, që duhet të rezultojë me njohje të ndërsjellë të Kosovës dhe të Serbisë, pa e cenuar territorin e vendit as rregullimin e brendshëm kushtetues të Kosovës.
Përfundimisht, procesi i deliberimit kërkon që palët të jenë në gjendje të pranojnë propozime të argumentuara mirë dhe të arsyeshme, që rezultojnë në një kompromis që nuk e dëmton pavarësinë dhe sovranitetin, më saktë funksionalitetin e shtetit. Por, mirëkuptimi dhe pranueshmëria e kompromiseve në politikë, kërkon edhe besim e aprovim nga struktura legjitime të vendit. Prandaj, për të arritur te një kompromis i pranueshëm për qytetarët e Kosovës, duhet të synohet që dialogu -nga ana e Kosovës- të jetë legjitim e gjithëpërfshirës në formë dhe i përgatitur mirë në përmbajtje. Kurse, për të siguruar kompatibilitetin e kompromisit me interesin dhe vullnetin shtetëror të Kosovës, institucionet duhet të ushtrojnë mekanizimin e llogaridhënies intensive ndaj Qeverisë, si udhëheqëse e këtij procesi. Në fund, Qeveria duhet të praktikojë transparencën dhe dialogun e brendshëm me partitë opozitare, me qytetarët dhe me shoqërinë civile, për ta kthyer besimin në këtë proces dialogu dhe pranueshmërinë për rezultatin e tij final.
Ky shkrim fillimisht është shkruar në Gjuhën Shqipe.
Ky shkrim financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë. Opinionet e shprehura pasqyrojnë pikëpamjet e autorit/es dhe nuk reflektojnë në pikëpamjet e Grupit për Ballkan dhe të donatorit.