Pa gra, pa dialog
10 nëntor 2021
Kosova gjendet në një fazë të re të dialogut me Serbinë. Qeveria “Kurti 2” e ka vendosur theksin në idenë e forcimit të sovranitetit dhe ballafaqimit me të kaluarën si parakushte për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve. Në këtë linjë, ajo u ka garantuar qytetarëve kosovarë një qasje të re në raport me Serbinë, duke e potencuar një barabarësi të palëve në dialog dhe ngulmim më të spikatur në vendosjen e drejtësisë. Megjithatë, barabarësia e synuar me Tjetrin në relacione ndërshtetërore është duke e injoruar një tjetër dimension me rëndësi parësore – barazinë gjinore. Deri më tash, ekipi kosovar i përfshirë në procesin e dialogut është përbërë vetëm nga burrat, si në nivelin politik ashtu edhe në atë të ekspertizës.
Dominimi burrëror në dialog natyrshëm nxit pikëpyetje mbi atë se çfarë do të diskutohet në tavolinë, cilat agjenda do të shtyhen përpara dhe sa gjithëpërfshirës do të jetë të kuptuarit e paqes. Gjithashtu, e rëndësisë vendimtare është të dihet në ç’mënyrë do të trajtohen çështjet që kanë ndjeshmëri të lartë gjinore, siç janë dhunimet seksuale gjatë luftës.
Ndonëse dhunimet seksuale ishin një nga mjetet kryesore të Serbisë në luftë dhe një nga dëmet më të mëdha të shkaktuara nga lufta, ato kanë mbetur në margjina të diskutimeve për një kohë të gjatë, për t’u futur më vonë në diskurs në formë të imponuar nga aktivistet për të drejtat e grave, e për t’u trajtuar dobët nga institucionet. Vitet e fundit kanë shënuar një kthesë në debatet e brendshme mbi dhunimet seksuale, duke i kategorizuar të mbijetuarat e dhunës seksuale si “kategori të dala nga lufta”. Kjo çështje ende nuk e ka fituar statusin e merituar në procesin e kërkimit të drejtësisë në raport me Serbinë – e gjitha e lidhur ngushtë me vullnetin politik.
Dominimi i qasjes maskuliniste në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, i cili ka dështuar t’i adresojë me seriozitetin e duhur dhunimet seksuale gjatë luftës, ka nxitur domosdoshmërinë për inkuadrim më të madh të grave në procesin politik, përfshirë edhe ekspertet e fushës. Kësisoj tregohet që pa një intervenim të tillë çështja e dhunimeve seksuale nuk ka shumë gjasa të marrë vëmendje të duhur, ndërsa pasqyron edhe paragjykimin e rrënjosur se lufta ishte “vetëm punë burrash” dhe përfundimi i procesit të rëndësishëm të dialogut u përket vetëm atyre. Kjo narrativë vazhdimisht ka nxitur rezistencë nga aktivistet politike –feministe, të cilat kanë insistuar që gratë duhet të jenë pjesë e të gjitha proceseve politike.
Kërkesa për përfshirje të grave në dialog nuk artikulohet si kërkesë për hir të përfshirjes numerike. Kjo kërkesë lidhet fundamentalisht me nevojën për zgjerim të përfaqësimit më të drejtë të interesave dhe nevojave në proces, si decentralizim të politikës nga burrat. Ngjashëm me fushat tjera, gratë vazhdojnë të përjashtohen dhe të mos merren parasysh pikërisht për shkak të gjinisë së tyre. Ballafaqohen me përjashtim sistematik, i cili shkon në linjë të neglizhimit dhe mosnjohjes së kontributit të grave në të gjitha proceset historike të Kosovës.
Pjesëmarrja e grave në proces të rëndësishëm si dialogu është vitale për krijimin dhe ruajtjen e paqes. Këtë e konfirmon edhe Rezoluta 1325 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dokument tejet i rëndësishëm i paqes dhe sigurisë që bën thirrje për përfshirjen e grave në proceset e ndërtimit të paqes. Rezoluta ka peshë historike për afirmimin e pjesëmarrjes politike të grave pasi e pranon që gratë dhe burrat afektohen ndryshe nga konfliktet, gjë që për rrjedhojë e bën të domosdoshme pjesëmarrjen e tyre në proceset e paqes.
Teoritë feministe e vendosin një lidhje të ngushtë mes përfaqësimit përshkrues dhe atij përmbajtësor, sidomos në çështjet të cilat prekin më shumë njërën gjini. Kjo pasi që është evidentuar tashmë se një proces i cili dominohet nga burrat (e privilegjuar), pashmangshmërisht lë jashtë interesat e kategorive identitare të paprivilegjuara, siç janë gratë. Gjithashtu, duke qenë që vetë përjashtimi i grave ndodh pikërisht mbi baza gjinore, edhe përfshirja e tyre duhet të ketë parasysh edhe dimensionin gjinor dhe diskriminimin sistemik gjinor. Kjo assesi nuk nënkupton që kategoria “grua” është monolite dhe se jo çdoherë të qenit grua nënkupton përçimin e ideve feministe. Insistimi qëndron në thyerjen e praktikës diskriminuese ndaj grave e cila nuk i pranon ato si subjekte të barabarta në politikë, përfshirjen më të gjerë dhe të drejtë të nevojave dhe interesave, si dhe ofrimin e më shumë perspektivave konstruktive në proces.
Përfundimisht: paqja nuk mund të arrihet pa gra. As nuk mund të projektohet pa një pranim më të gjerë të të kuptuarit të paqes i cili shkon përtej interpretimeve maskuliniste. Kjo mund të ndodhë vetëm atëherë kur procesi të jetë më i hapur dhe mikpritës edhe për gratë si vendimmarrëse në proces. Që kjo të realizohet, presioni feminist duhet vazhduar – jo vetëm për ta sfiduar praktikën e përjashtimit të grave në procesin e dialogut dhe mbështetjen e grave eksperte, por edhe për t’i ridefinuar modalitetet në të cilat përfshihen gratë.
Është vendimtare që ky proces të përfshijë gra politikane, aktiviste dhe profesioniste, si dhe të ofrojë mundësi për përfshirje sa më të gjerë të çështjeve që trajtohen. Premisat themelore feministe në lidhje me barazi gjinore dhe përfaqësim të barabartë në dialog kanë të bëjnë me drejtësi gjinore, duke u siguruar që të ketë ndjekje penale për dhunimet seksuale që kanë ndodhur gjatë luftës dhe njohje e kontributit të grave të dhënë gjatë luftës.
Bashkimi Evropian dhe përfaqësuesit e tyre në Kosovë duhet të jenë më mbështetës për fuqizimin e grave në dialog dhe t’i japin pushtet idesë që në tavolinat e dialogut gjithmonë të ketë perspektivë gjinore, gra politikane dhe gra eksperte.
Ky artikull fillimisht është shkruar në Gjuhën Shqipe.
Ky shkrim financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë. Opinionet e shprehura pasqyrojnë pikëpamjet e autorit/es dhe nuk reflektojnë në pikëpamjet e Grupit për Ballkan dhe të donatorit.