Marrëveshja e re për tabelat e automjeteve
30 shtator 2021
Më 30 shtator 2021, pas dy ditë negociatash intensive, delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë arritën një marrëveshje lidhur me tabelat e automjeteve si rezultat i zhvillimeve të fundit.
Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor Miroslav Lajcak, falënderoi Petar Petkovic dhe Besnik Bislimin për gatishmërinë për të negociuar dhe dakorduar për të mirën e qytetarëve teksa deklaroi “kemi një marrëveshje”.
Të dyja palët u pajtuan për pikat si në vijim:
- Të shtunën me datën 2 tetor, forcat e KFOR do të vendosen në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe disa orë pas vendosjes së tyre, do të fillohet me largimin e barrikadave dhe njëkohësisht edhe me zhvendosjen e njësisë speciale të policisë së Kosovës. Njësitë e KFOR do të qëndrojnë në vendkalimet kufitare afërsisht dy javë dhe mund të largohen nga vendkalimet pastaj në rast të qetësimit komplet të situatës.
- Me datën 4 tetor, në ora 08 të mëngjesit do të filloj zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra
tjetrës. Rrjedhimisht nga dita e hënë parashihet që asnjë qytetarë i Kosovës dhe Serbisë nuk do ketë më nevojë të vendosë tabela të përkohshme gjatë kalimit në territorin e shtetit tjetër. - Do të krijohet një grup punues me objektiv gjetjen e zgjidhjes përfundimtare rreth targave, bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së. ky grup do ketë 6 muaj kohë për të mundësuar kalimin në zgjidhjen e përhershme, me çka edhe kufizohet afati i zbatimit të sistemit me afishe.