Dialogu Kosovë Serbi për “normalizim të marrëdhënieve” ose “njohje të ndërsjellë”? Qasja e BE-së dhe elementet e një marrëveshje të detyrueshme në mes palëve

Dukagjin Abdyli

01 nëntor 2021

Cila është substanca e normalizimit të marrëdhënieve ose normalizimit gjithëpërfshirës dhe pse BE –ja i referohet kështu, në kontekst të arritjes së një marrëveshje të detyrueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë?  Pavarësisht qasjes status neutrale të BE-së ndaj Kosovës, janë disa indikatorë që na shtyejnë të besojmë se paqartësia pragmatike e termit normalizim i marrëdhënieve, në parim synon njohjen e ndërsjellë në mes të palëve, Kosovës dhe Serbisë.

Së pari, procedura për zgjerim e BE-së në nenin 49 të Traktatit të BE-së parasheh kushtet për aderim apo për anëtarësim. Kështu, përmes dispozitës “Çdo shtet Evropian…” krijohen disa implikime për Kosovën.  Ndonëse, institucionet luajnë një rol të rëndësishëm në përgatitjet për anëtarësim, BE-ja nuk është palë në marrëveshjen ndërkombëtare në mes të shteteve anëtare dhe shtetit aplikant. Kjo nënkupton që Traktati i Anëtarësimit duhet të ratifikohet ekskluzivisht vetëm nga shtetet ekzistuese dhe shtetet e reja, në harmoni me kërkesat specifike kushtetuese të brendshme. Kosova është shtet i pavarur për 22 nga 27 shtetet e BE-së, por nuk është shtet i pavarur për 5 prej tyre (Spanjën, Rumaninë, Sllovakinë, Qipron dhe Greqinë) andaj nuk është as për BE-në si tërësi. Duke e pasur parasysh këtë fakt, implikimi logjik dhe ligjor për shtetet që të aplikojnë për anëtarësim në BE do të ishte përmbushja e kriterit të shtetësisë, ose përndryshe BE-ja do të duhet të amendonte traktatet e saj.  Por, gjithsesi mundësia që BE-ja të amendoj traktatet e saj për t’i mundësuar Kosovës aplikimin për anëtarësim është tejet e vogël.

Së dyti, Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim (MSA) në mes të Kosovës dhe BE-së e ritheksoi rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi duke e përcaktuar si element thelbësor të MSA-së, i cili do të ndikojë në normalizim të marrëdhënieve edhe me shtetet e BE-së. Andaj, Neni 13 i MSA-së e parasheh Marrëveshjen si:

  • ligjërisht të detyrueshme që siguron që secili shtet vazhdon në rrugën e vet Evropiane;
  • duke shmangur të bllokuarit e tjetrit në këto përpjekje;
  • me prospektet që secili shtet të jetë në gjendje të ushtrojë të drejtat dhe të përmbush detyrimet.

Sipas kësaj, mund të thuhet se MSA e plotëson dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, i cili synon të dërgoj në njohje të ndërsjellë në mes të palëve. Pavarësisht që pesë nga shtetet anëtare të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën ende, ato të gjitha u pajtuan për këto dispozita të MSA-së. Kjo do të thotë se të gjitha ishin dakord që Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje që i lejon të dy shtetet të ecin në rrugën e tyre drejt BE-së. Sipas kësaj, sa herë që kishte avancim në dialogun Kosovë- Serbi, ajo ishte e reflektuar në avancimin e Agjendës Evropiane të shtetit në fjalë. Pritshmëri logjike në këtë mënyrë është që me arritjen e një marrëveshje për njohje të ndërsjellë, pesë shtetet anëtare të BE-së do të njohin Kosovën. Në këtë mënyrë sigurohet që kriteret për të aplikuar për anëtarësim, janë përmbushur për Kosovën.

Indikatori i tretë që një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë mund të rezultojë në njohje të ndërsjellë janë edhe negociatat e Serbisë për anëtarësim në BE. Kapitulli i 35-të për aderim në BE, përbën një indikator të qartë, preciz dhe konkret që Serbia duhet të arrijë një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, me efekt të detyrueshëm, që i lejon Kosovës dhe Serbisë të vazhdojnë rrugën drejt BE-së. Si rezultat, disa shtete perëndimore dhe SHBA-të kanë kërkuar në mënyrë eksplicite nga Serbia që të njoh Kosovën, pra të arrij një marrëveshje për njohje të ndërsjellë, që mund të ndiqet nga zyrtarët e institucioneve të BE-së. Kjo për faktin se meqë politika e jashtme e BE-së bazohet shumë në organin kryesor vendimmarrës- Këshillin -që reflekton interesat e shteteve, dhe si rezultat edhe interesat e pesë vendeve mos njohëse.

Së fundmi, BE-ja duhet të njoh faktin se dialogu Kosovë-Serbi është lidhur nyje dhe se duhet gjetur alternativa duke bërë bashkë procesin e negocimit me procesin e integrimit në BE. Ndryshimi i paradigmës parashtron nevojën nga BE-ja që të paraqes rrugën e qartë të Kosovës dhe Serbisë drejt anëtarësimit. Në këtë mënyrë paqartësia konstruktive e termit “normalizim” do të ketë një datë skadimi, pasi që e vetmja marrëveshje e pranueshme që siguron efekt të detyrueshëm dhe hap rrugën për secilin vend drejt BE-së, është ajo marrëveshje që bazohet në parimin e njohjes së ndërsjellë.

 

Ky artikull fillimisht është shkruar në Gjuhën Angleze.

Ky shkrim financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë. Opinionet e shprehura pasqyrojnë pikëpamjet e autorit/es dhe nuk reflektojnë në pikëpamjet e Grupit për Ballkan dhe të donatorit.