Besimi tek realiteti

Idro Seferi

Maj 2021

Dialogu do të duhej të sillte deri tek ndërtimi i besimit se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është një gjë e dobishme për të ardhmen. Dhe, jo të krijoj ndjenjën e një mashtrimi politik. Shqiptarët dhe shumë serb mendojnë njësoj për shumë gjëra, por ata nuk e njohin njeri-tjetrin prandaj gjithmonë shfaqet një qasje e dyshimtë

“Bravo-t”, i thanë zëshëm njeri-tjetrit një djalë dhe një vajzë nga Nishi kur po sqaroja paragjykimet nga të dyja anët, Kosova dhe Serbia. Iu duhej një konfirmim pozitiv për qytetin e tyre. Arsyeja ishte se përmenda faktin që në Kosovë kanë shumë paragjykime ndaj disa pjesëve të Serbisë për arsye të mosnjohjes së këtyre vendeve. Përballë meje ishin ulur një grup studentësh të shkencave politike nga Kosova dhe Serbia.  U tregova edhe se si herën e parë në një organizim në Serbi, nga Prishtina po udhëtonim në mbrojtjen e policisë.

Shembulli për studentët në perceptimin e realitetit ishte ky: në Kosovë ka paragjykime ndaj qyteteve jugore të Serbisë siҫ mund të jetë Nishi, Leskoci apo ndonjë vend tjetër si Prokuplja, Kraljeva apo Krushevci. Arsyeja: janë afër Kosovës dhe janë më nacionalist. Fillimisht studentët serb u stepen nga informacioni i ri për ta. Por, në shumë raste qëndron e kundërta dhe në një bredhje të pafundme timen profesionale dhe personale, kam qenë në shumë shtëpi -në këto qytete- dhe shumë do të befasoheshin me qëndrimet e njerëzve të këtushëm. Shembull Nishi, them unë, një qytet që mund të ketë një madhësi pak më të vogël se Prishtina. Qyteti i tretë pas Novi Sadit. Ka një shëtitore të bukur me dyqane dhe qendra tregtare që vazhdon në pjesën e vjetër të qytetit, të cilën edhe më shumë e zbukurojnë kafenetë e vogla në një miks tradicional dhe bashkëkohor ofertash, por shtruar me gur prej kohësh. Ka një histori dhe rrëfime të shumta si qytet. Një grup i madh i gazetarëve të këtushëm shkojnë në të njëjtat ngjarje sikurse edhe unë. Gjithmonë njerëz konstruktiv dhe në ndihmë për kolegët e ndryshëm, edhe ata shqiptarë, sa herë që është nevoja. Sikurse ne për ta. Nishi është një lloj qendre e korrespondentëve edhe mediave të Serbisë, por edhe e disa mediave të huaja siҫ mund të jenë franceze, gjermane, agjenci turke, nga Doha e rajoni. Shumë prej këtyre njerëzve raportojnë për ngjarjet dhe rrëfimet në jug të Serbisë, ndonjëherë në Kosovë, Maqedoninë Veriorë e Luginën e Preshevës. Shpesh më ka ndodhur që njerëzit të bëjnë pyetje për jetën në Kosovë, ata që nuk e dinë. Ndonjëherë nuk të lenë të paguash kafetë me insistim absolut vetëm se je gazetar shqiptar. Ata Kosovën e kanë afër, por nuk ua merr mendja të shkojnë në Prishtinë shumë. Natyrisht menjëherë të sugjerojnë byrekun më të mirë te furra Antoni, një shqiptari të vjetër aty.

Paragjykimet dhe tensionet e krijuara politike mbajnë dy realitete larg njëra-tjetrës. Për shembull në Serbi, mediat rrallë bëjnë rrëfime me qytetarët në Kosovë, çoftë në rrugë apo në ndonjë rrëfim tjetër jo politik. Në Kosovë, për një pjesë të madhe të mediave të Serbisë, nuk ekziston asgjë tjetër përveҫ politikës. Ashtu si dhe në të kundërtën.  Njejtë siç besojnë shqiptarët se Leskoci mund të jenë “më nacionalist” se pjesa tjetër, apo siҫ besojnë një pjesë e serbëve se ata në Shqipëri, janë më të mirë se ata në Kosovë, apo siç besojnë një pjesë e atyre në Kosovë se “Beogradi është metropol” dhe jo si Serbia tjetër. Një diskurs politik i bazuar në mungesën e kontakteve personale krijon një panik total, dezorientim edhe dekada pas luftërave të njerëzve që vuajnë nga pasojat e njëjta të së shkuarës së pazgjidhur dhe mohimit. E natyrshëm që është e vështirë të vihet tek ripajtimi në momentin e mungesës së empatisë, gatishmërisë për të dëgjuar.

Siç besojnë shumë serb se në Prishtinë, Pejë a Prizren është rrezik për ta; pavarësisht se sa liberal mund të jenë, Kosova për shumë serb është zonë e errët informimi dhe një hezitim i thellë përtej fakteve. Ashtu edhe shumë shqiptarë futen në panik të arsyeshëm kur e mendojnë Serbinë. Këtë situatë e krijon dhe mbanë gjallë politika dhe mungesa e strategjisë së dialogut që e harron pjesën e shkëmbimeve shumë dimensionale që duhen bërë për të arritur deri tek besimi. Kur të ketë besim në vërtetësinë e procesit në tërë shoqërinë, atëherë me besim mund të flitet për të shkuarën pa kaluar në procese mohuese, mund të flitet për të ardhmen, për realitetin dhe në fund për zhvillimin. Studentët duken entuziast, dhe si ata dy nga Nishi, e kanë me rëndësi të dëgjohet që qyteti i tyre nuk është qytet i mbyllur dhe pa diversitet, pasi nuk duan të qëndrojnë pas nacionalizmit. Dialogu dhe marrëveshja finale e Kosovës dhe Serbisë duhet të sjellin një fillim të ri. Jo për shkak të bashkim-vëllazërimit, por për shkak të energjisë së humbur në zhvillim. Popujt falen mes vete historikisht, por koha e shkuar ka treguar se mohimi nuk është vegël e mirë për të ndërtuar besimin. Kosova dhe Serbia mund të ndërtojnë hekurudha, autostrada, të rivendosin linjat e avionit, të rrisin shkëmbimet ekonomike dhe të arrijnë marrëveshje. Por, besimi është infrastruktura kryesore e suksesit të ҫdo tentimi politik për ripajtim.

 

Ky shkrim fillimisht është shkruar në Gjuhën Shqipe.

Ky shkrim financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë. Opinionet e shprehura pasqyrojnë pikëpamjet e autorit/es dhe nuk reflektojnë në pikëpamjet e Grupit për Ballkan dhe të donatorit.