Takimi mbi Zgjedhjet Lokale dhe Doganat përfundoi në Bruksel

Bruksel, 1 tetor 2013

Në ditën e parë të bisedimeve teknike në Bruksel, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, u diskutua për zgjedhjet lokale, doganat dhe zbatimin e marrëveshjes për zyrat e ndërlidhjes.

Zëvendës Kryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, tha se gjatë këtyre takimeve, u vlerësua pozitivisht procesi i përgatitjes për zgjedhjet lokale më 3 nëntor. Në takim, Znj. Tahiri kritikoi fenomenin e gjesteve provokuese dhe nacionaliste nga zyrtarët e Serbisë, në pjesë të ndryshme të Kosovës. Në veçanti, ajo theksoi rëndësinë e respektimit të marrëdhënieve fqinjësore dhe normalizimit të marrëdhënieve ndër-shtetërore duke respektuar dhe zbatuar plotësisht marrëveshjen e Brukselit. Në takim, palët ranë dakord se procesi i zgjedhjeve lokale është një rrugë demokratike që u mundëson qytetarëve të zgjedhin subjektet dhe kandidatët që ata duan dhe ajo bëri thirrje për një pjesëmarrje të madhe në zgjedhje.

Në lidhje me takimin për doganat, Tahiri tha se ata diskutuan çështje në lidhje me procesin e përgatitjeve që kanë të bëjnë me Fondin e Zhvillimit, si dhe pengesat për lirinë e lëvizjes që mbeten të pranishme në pjesën veriore të Kosovës. Në këtë drejtim, ajo theksoi se ka ngritur shqetësime në lidhje me pengesat e vazhdueshme për lirinë e lëvizjes në zonën veriore, duke përmendur veçanërisht rastin e sulmit ndaj personelit të EULEX, që rezultoi në vdekjen e një anëtari të EULEX-it. Ajo gjithashtu përmendi rastin kur e ashtuquajtura Mbrojtje Civile ngriti një barrikadë që pengonte lëvizjen e zyrtarëve të doganave dhe të policisë së Kosovës, gjatë rrugës për në pikën doganore në Jarinjë. Znj. Tahiri i kërkoi palës serbe të respektojë marrëveshjen për doganat e cila kërkon lëvizjen e lirë të autoriteteve të Kosovës dhe kërkoi angazhim shtesë nga BE-ja për të zgjidhur çështjen e transportit rrugor në pikën e kalimit kufitar në Bërnjak.