Takimi i fundit për zbatimin e Marrëveshjes së IBM-it u zhvillua në Bruksel

Bruksel, 19 Mars 2013

Takimi i fundit në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM) u mbajt në Bruksel me delegacionin e Kosovës të udhëhequr nga Zëvendës Kryeministrja Edita Tahiri.

Përfundimi i takimit dy-ditor i ndërmjetësuar nga BE-ja ishte se zbatimi i marrëveshjes për pikat e kalimit kufitar midis Republikës së Kosovës dhe të Serbisë po shkon mirë, por kërkohet më shumë përpjekje për të bërë përparim. Marrëveshje midis palëve u arrit edhe për shkëmbimin e informacionit doganor përmes projektit EU SEED, i krijuar për të gjitha shtetet e Evropës Juglindore. Të gjitha vendet e rajonit bashkëpunojnë në shkëmbim të informacionit për procedurat e para-arritjes së mallrave dhe tani kjo do të zbatohet edhe për Kosovën dhe Serbinë, pas marrëveshjes së arritur në këtë takim.

Përveç kësaj, diskutimet vazhduan edhe lidhur me fillimin e ndërtimit të pikave të përhershme të kalimit të IBM-it dhe u ranë dakord që gjatë marsit, të organizohen vizita të përbashkëta në vendet ku do të ndërtohen këto objekte dhe që sa më shpejt të jetë e mundur, një kompani e kontraktuar nga BE-ja, do të fillonte punën në terren. Ata gjithashtu biseduan mbi nivelin e zbatimit të marrëveshjes për lirinë e lëvizjes. Zv. kryeministrja Tahiri ngriti problemin e lirisë së lëvizjes në veri dhe kërkoi që kjo çështje të adresohet urgjentisht. Ajo gjithashtu kërkoi që marrëveshja të zbatohej në të gjitha pikat e kalimit kufitar me Serbinë, duke respektuar të njëjtat standarde dhe praktika të përcaktuara në marrëveshje.

Ndër temat e diskutuara ishin bashkëpunimi midis autoriteteve veterinare dhe ushqimore në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Serbisë dhe mënyrat për të kapërcyer problemin e eksportit dhe importit të produkteve me origjinë shtazore midis dy vendeve.

Në këtë takim, Zv. Kryeministrja Edita Tahiri u shoqërua nga Dren Zeka, Këshilltar i Lartë Politik i Zv. Kryeministrit, Fisnik Rexhepi, Këshilltar Politik dhe Koordinator Kombëtar për Zbatimin e IBM-it, Qemajl Marmullakaj nga Zyra e Planifikimit Strategjik, Shaban Guda, Ndihmës Drejtori i Policisë Kufitare, Valdet Gjinovci, Shefi i Agjencisë Veterinare dhe të Ushqimit dhe Bajram Rexha, Ndihmës-Drejtori i Doganave të Kosovës.