Një raund i rregullt i bisedimeve teknike

Bruksel, 25 tetor 2013

Më 25 tetor 2013, nën ndërmjetësimin e BE-së, palët mbajtën raundin e rregullt të bisedimeve teknike në Bruksel, lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve.

Fillimisht, diskutimi u përqendrua në kampanjën zgjedhore, lidhur me të cilën zëvendëskryeministrja Edita Tahiri kërkoi përkushtim më të madh të palëve, në harmoni me standardet ndërkombëtare, duke i nxitur njëkohësisht në parandalimin e fenomeneve negative si kërcënimi i kandidatëve dhe punonjësve të komisionit meqë zgjedhjet janë në interesin e përbashkët.

Më tutje u diskutua për rëndësinë e mbajtjes së një niveli të sigurisë, gjatë kampanjës dhe në Ditën e Zgjedhjeve.

OSBE-ja lajmëroi se janë tre mekanizma të sigurisë të përfshirë në këtë proces, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i, të cilët janë të përkushtuar, si pjesë e misionit të tyre, që të ofrojnë sigurinë maksimale gjatë procesit.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka më tutje informoi palët lidhur me afatet ligjore për votim jashtë vendit, duke theksuar datën 1 nëntor.

Delegacioni i Republikës së Kosovës përbëhej nga zëvendëskryeministrja  Edita Tahiri; Valdete Daka, Kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve; Qemajl Marmullakaj, Koordinator i grupit të zgjedhjeve; Shukri Sulejmani, Kryetar i panelit të ankesave zgjedhore dhe Elona Cecelia, këshilltare politike.