Në Bruksel u zhvillua takimi i radhës për Zgjedhjet Lokale

Bruksel, 16 shtator 2013

Më 16 shtator 2013, delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, mori pjesë në takimin e radhës për zgjedhjet lokale, që u mbajt në Bruksel.

Natyra e këtij takimi ishte që të vlerësohet mbarëvajtja e procesit të përgatitjeve për zgjedhje lokale.

Me këtë rast, Tahiri konfirmoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucioneve të shtetit që zgjedhjet lokale të mbahen në një frymë demokratike dhe evropiane, duke respektuar ligjet e Kosovës ashtu siç e përcakton Marrëveshja për normalizim e marrëdhënieve ndërshtetërore në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ajo vlerësoi se këto zgjedhje lokale kanë rëndësi të veçantë, duke qenë se mbahen për herë të parë në tërë Kosovën. “Ato do të kontribuojnë në mënyrë qenësore në vendosjen e demokracisë, ligjit  dhe normalitetit në komunat veriore të vendit, të cilat pas shumë vitesh do të kenë strukturat komunale të zgjedhura në mënyrë legjitime” shtoi Tahiri.

Tutje, përfaqësuesit e OSBE-së përgëzuan palët e tyre për një bashkëpunim konstruktiv të të gjithëve në këtë proces dhe në veçanti vlerësuan lartë punën që Komisioni Qendror Zgjedhor po e bën për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit.