Takimi i radhës për zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë u mbajt në Bruksel

Bruksel, 26 nëntor 2013

Delegacioni i Republikës së Kosovës, udhëhequr nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, mori pjesë në takimin e radhës për çështjet e energjisë që u mbajt në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në këtë takim, ata diskutuan për procesin e zbatimit të marrëveshjes për energjinë, përkatësisht për hapat që duhet të merren nga secila palë në mënyrë që procesi i zbatimit të jetë në koherencë me marrëveshjen dhe me afatet e parapara.

Palët i fokusuan diskutimet në përafrimin e qëndrimeve rreth planit për veprim, i cili do të shërbejë si udhërrëfyes përgjatë procesit të zbatimit të marrëveshjes për energjinë, arritur me 8 shtator 2013.

Palët janë pajtuar që të vazhdojnë konsultimet më qëllim që sa më parë të finalizohet plani për veprim dhe të fillojë zbatimi praktik i kësaj marrëveshje me të cilën synohet vendosja e një bashkëpunimi ndërshtetëror në fushën e energjisë në mes të Kosovës dhe Serbisë, në bazë të parimeve të Bashkimit Evropian dhe Traktatit të Athinës për energji për Evropën Juglindore.

Delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga zv. kryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, kishte në përbërje: Naim Bejtullahu, kryeshef i KOSTT-it dhe kryesues i grupit; Elona Cecelia, koordinatore; Luan Morina, udhëheqës i departamentit për Energji dhe Miniera në MZHE; Kadri Kadriu, zëvendëskryeshef i KOSTT-it; Sabri Musiqi, drejtor i departamentit të sistemit të operimit në KOSTT; Skender Gjonbalaj drejtor i departamentit të operimit të tregut; Merita Kostari, anëtare e Bordit të Zyrës se Rregullatorit për Energji; Visar Xani, këshilltar politik dhe për media i zv. kryeministres, Edita Tahiri; Karagutoff Gorge nga KEDS dhe Sokol Elmazaj, këshilltar ligjor në KEDS.